Një opinion i shkruar nga redaksia newsport.al (KLIKO KËTU) për sa i përket arbitrimit në gjysmën e parë të këtij sezoni futbollistik në Superiore, me sa duket ka ngacmuar sedrën e Enea Pashaj-it, gjyqtar anësor që arbitron në elitë.
Djaloshi i lindur në Patos nuk është përmbajtur aspak, përkundrazi ka treguar që niveli i “bilbilit” lë shumë për të dëshiruar dhe në aspektin intelektual.
Me një gjuhë rrugaçërore, të paprecedentë, Pashaj me sa duket harron se është dashur padashur një person publik dhe fjalori i përdorur nga ai, nuk i shkon për shtat jo vetëm agjencisë sonë medietike, por edhe qytetarisë shqiptare.
Ndoshta është prekur shumë dhe ka harruar që në një web sportiv mund të lexojë i madh dhe i vogël, përfshirë edhe banalitetin e përdorur nga ai. Krahas zbatimit me përpikmëri të rregullave të futbollit të luajtur, një gjyqtar sigurisht që duhet të punojë maksimalisht për të trajtuar 22 “të pandehurit” e tij edhe nga ana psikologjike.
Por, siç shihet nga komenti i bërë nga Enea Pashaj, kjo që sapo thamë më lart mund të mbetet vetëm një ëndërr e mbetur në sirtar. Në këtë rast edhe Federata Shqiptare e Futbollit duhet të veprojë me dorë të hekurt, sepse është shkruar qartë dhe bukur që një gjyqtar i Superiores nuk mund të analizojë apo komentojë për punën e tij pa marrë leje fillimisht në instancat drejtuese.
Po kush është Enea Pashaj? Ai është lindur në Patos dhe është pjesë e arbitrave të kampionatit shqiptar prej vitit 2010. Nga viti 2013 e më pas, ka gjykuar në ndeshjet e Superiores. Studion në degën e Edukimit Fizik dhe Sporte pranë Universitetit Marin Barleti. Bën pjesë në kolegjiumin e Patosit. Është i fejuar me vajzën e Arjan Malit, ky i fundit anëtar i Komisionit të Caktimit të Arbitrave. Pashaj mbahet mend për protagonizmin e tij në ndeshjen e vitit të shkuar mes Teutës dhe Flamurtarit e luajtur në datën 24 shtator të vitit 2017.
Në mënyrë skandoze ai dha penallti për durrsakët, duke i ndryshuar mendimin kryesorit Kreshnik Cjapi, që kishte akorduar faull jashtë zone. Protagonizmi i tepruar nga asistenti në fjalë bën që një ndeshje e cila foli vetëm për vlonjatët, të shkonte për pak në rrjedhë tjetër. Kujtojmë që asokohe edhe trajneri Shpëtim Duro u tradhëtua nga nervat dhe akuzoi publikisht për arbitrim amatoresk asistentin Pashja, për sfidën e përfunduar 1-2 në favor të vlonjatëve.
Përpos gjithë këtyre, e rëndësishme dhe më kryesorja është që fillimisht Pashaj të bëjë autokritikë dhe më pas të mendojë për të dhënë opinione apo mendime në medie të ndryshme. Dhe sigurisht… Fillimisht duhet marrë leje në instancat drejtuese. Të veprojë me korrektësi në fushën e blertë dhe pse jo, sugjerimet për gazetarët do të jenë gjithmonë të mirëpritura. Megjithatë s’duhet të harrojmë kurrsesi që në të tilla raste vlen shprehja e urtë: “Turpi hahet me bukë”… /Newsport.al/
SHËNIM*: Një pjesë e komentit është fshirë për shkak të banalitetit të përdorur nga gjyqtari në fjalë.