Trajneri Otto Bariç e kërkoi me ngulm që t’a kishte pjesë të kombëtares 10 vite më parë, por ai refuzoi për të përfaqësuar Maqedoninë. Situatë që tashmë ndryshon, pasi lojtari në fjalë luan në Shqipëri dhe ka fituar zemrat e tifozerive, sidomos atyre të Partizanit.
Nderim Nexhipi, mesfushori i Korabit flet për takimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë që do të luhet të hënën, ndërsa në emocione e sipër ai tregon se ky është një takim special, ndërsa do të dëshironte shumë që të ishte në fushë.
“Është ndeshje speciale, do të kisha dashur që të isha pjesë e kësaj ndeshjeje, por tani është e pamundur. Tifozët normalisht që do të bëjnë tifozeri për Shqipërinë, sidomos “Ballistët”. Por, ne nuk kemi ndonjë faj, sepse kemi lindur atje. Duke bërë krahasimin mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Maqedonisë, në këtë ndeshje ne jemi pjesa më e pafajshme”, tregon Nexhipi.
“Është një ndryshim i madh mes shqiptarëve që janë në Zvicër dhe atyre që janë në Maqedoni. Ne përbëjmë mbi 30% të popullsisë në Maqedoni. Pas viteve 2000 filloi lufta në Maqedoni për të fituar të drejtat tona, sepse ishim të nënvlerësuar. Gjërat pas luftës kanë ndryshuar për mirë, por duhet kohë që të ndryshojnë që shqiptarët dhe maqedonasit të mos shohin ndryshimet mes tyre”, tha mesfushori i Korabit, i cili sqaroi se pse ka urrejtje mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
“Tiranën nuk e ndërroj me asgjë. Në Dibrën e vogël nuk kam pasur mundësi të shkoj akoma. Në Dibrën e Maqedonisë kam dhe familjen dhe e njoh si vend”, sqaroi Nexhipi sa i përket trojeve shqiptare me të njëjtin emër, por që janë të ndarë në dy shtete.