Pas ndeshjes me Kastriotin e humbur 0-1 në stadiumin “Redi Maloku”, Tirana kërkoi përjashtimin e arbitrit Olsi Sokoli për ofendim raciste ndaj sulmuesit Michael Ngoo, si dhe për gjykim në dëm të ekipit bardheblu.
Por, nga ana tjetër, tekniku i Tiranës Ardian Mema replikoi me arbitrin Sokoli, edhe pse ishte i përjashtuar gjatë ndeshjes.
Për këtë gjë, Mema rrezikon të dënohet nga Komisioni i Disiplinës sipas nenit 49 të Kodit të Disiplinës, pika dy, gërma a):
“Kur personi që ushtron sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes është trajner ose zyrtar i personit juridik, shoqatës, ose klubit ku bën pjesë ekipi përkatës, atëherë trajneri ose zyrtari dënohen si më poshtë:
a) të paktën 8 (tetë) ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes”.
Duke parë dhe tonet e ashpra që tekniku bardheblu shprehu ndaj arbitrit Sokoli në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH Sport”, 49-vjeçari mund të dënohet ashpër. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për Tiranën për ecurinë e mëtejshme në kampionat, nëse Disiplina do të merrte vendim në përputhje me Kodin e Disiplinës.