Për administratorin e klubit të Vllaznisë, Suad Lici, kualifikimi në Europa League nuk është i pamundur. Në një intervistë për median turke “Ihlas”, ai zbardhi idenë e sjelljes së lojtarëve të huaj në Shkodër për të ndërtuar një ekip cilësor dhe premtues. Lici shtoi Vllaznia i ka mundësitë të fitojë këtë sezon Kupën e Shqipërisë.
“Ne nuk mund t’u ofrojmë futbollistëve paga të larta aktualisht. Për këtë arsye, po kërkojmë të gjejmë talente të reja dhe do të shkojmë në Nigeri me drejtorin sportin Engin Firat, për të gjetur lojtarë që do të na shërbejnë dhe më pas, për t’i shitur me çmime të larta. Objektivi i sivjetëm është për të pretenduar vetëm tek kupa sepse përmes saj mund të dalim në Europë ku pastaj ekzistojnë shanset për të përfituar shumë të mëdha deri në 3 milionë euro nëse shkon në grupe dhe kjo është një shifër e rëndë për klubet shqiptare”, deklaroi Lici.