Futbollisti kroat i Laçit Ivan Galic i bashkohet skuadrës kurbinase pas një mungese prej 6 muajsh për shkak të një dëmtimi të rëndë.
Sulmuesi i krahut të majtë e dha lajmin e marrjes së konfirmimit nga stafi teknik për të nisur stërvitjen me ekipin në një postim të tij në “Instagram”.
“Pas 6 muajsh (25 javë, 191 ditë) pune të vështirë, djersitje dhe lotë, më në fund mora lejen për t’u stërvitur plotësisht me skuadrën. Gëzimi është i papërshkrueshëm! Jam gati për sfida të reja.”
24-vjeçari kroat u dëmtua rëndë në sfidën e parë të raundit të parë të Kupës së Shqipërisë me Naftëtarin (12/09/2018) në Kuçovë (0-5 e fituar nga kurbinasit). Ai iu nënshtrua urgjentisht operacionit për të nisur fazën e rikuperimit.
Me të në sulm, skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova gjen një “armë” të fortë për të zgjidhur problemin e vazhdueshëm të shënimit të golave.