Gjykata e Tiranës shpall ‘në kërkim’ ish presidentin Bujar Nishani. Kjo ka ndodhur pasi ish presidenti ka ndërruar adresë.
Sipas Report Tv, Gjykata e Tiranës i ka dërguar një letër zyrës së gjendjes civile për të gjetur adresën e Bujar Nishanit, ku do i kërkojë të paraqitet si i paditur pas kallëzimit nga trajneri i Kombëtares Christian Panucci.
Mësohet se më 1 tetor 2018, gjykata i drejtohet me shkresë zyrës së gjendjes civile për të kërkuar informacion mbi palën e paditur që është Bujar Nishani.
Ndërkohë përgjigja që gjykata ka marrë nga gjendja civile është: ‘Ka ndërruar adresë’.
Për këtë arsye Gjykata ka ‘shpallur në kërkim’ ish presidentin Bujar Nishani, pasi nuk dihet se ku banon, për t’i dërguar fletëthirrje.
Kujtojmë se Panucci e ka paditur Nishanin për fyerje, ku kërkon të dëmshpërblehet nga ish-Presidenti me një vlerë prej 100 mijë eurosh.
Ky dëmshpërblim kërkohet, pasi ish-presidenti Bujar Nishani pas ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku Shqipëria u mund 3-0, është shprehur për trajnerin e kombëtares, se është një “sharlatan që shkatërron edhe atë që ishte ngritur”.