Ekipi i Tiranës U-19 ka qenë sot në aktivitet në Lezhë për kampionatin e këtyre grupmoshave ku është mundur me rezultatin 3-2 nga ekipi i Portos. Një humbje që duket se i vë kapak gjithë halleve të 19-vjeçarëve në këtë periudhë. Që prej shkarkimit të trajneri Sokol Bulku para disa javës, ku nëpërmjet një sms-je ai u lajmërua se nuk do ishte në krye të Tiranës së të rinjve, gjërat nuk kanë ecur në mënyrë pozitive për këtë ekip.
Ulja e Matko Djarmatit në krye të stolit bardheblu duket se nuk ka sjellë ndryshimet e pritura. Kjo pasi në 6 ndeshjet e fundit, Tirana ka marrë 6 humbje. Një ecuri aspak e mirë që tashmë i sheh kryeqytetasit shumë larg garës për titull kampion dhe në vendin e 6-të të renditjes me vetëm 22 pikë. Me sa duket shkarkimi i trajnerit Bulku nuk ka qenë vendimi më i mirë i marrë nga drejtuesit e bardhebluve dhe kjo shihet nga ecuria e U-19 në javët e fundit.