Sulmuesit serb gjatë viteve të fundit në kampionatin tonë kanë qenë të shumtë, madje kanë lënë gjurmë të mira në çdo kategori ku janë aktivizuar, pasi jo pak herë kanë marrë kreun e listës së golashënuesve.
Flasim për Marko Rajkoviç, ish-sulmuesi i Apolonisë në dy sezonet e fundit, i cili erdhi me bujë në Superiore te fierakët dhe më pas shënoi 12 gola në Kategorinë e Parë me këtë ekip. Por, tek Apolonia e larguan si pasojë e reformës së kursimit të parave, shkurt nuk kishin që të paguanin për një lojtar si Rajkoviç, i cili përfitonte shumë para për të luajtur në të Parën.
Por, 24-vjeçari është rikthyer në vendlindje, në Kategorinë e Parë serbe, ku aktivizohet me Kolubara. Në këtë skuadër ai mban rolin e titullarit që nga java e parë, ndërsa ka gjetur golin e parë në kampionat.