Maratona e Tiranës, që do të rikthehet ditën e diel në kryeqytet do të organizohet në masa të plota sigurie nga Bashkia e kryeqytetit. Kreu i Bashkisë Erion Veliaj, në një takim me organizatorët e eventit ditën e djeshme deklaroi se trafiku në zonën qendrore të Tiranës nga mëngjesi i së dielës deri në përfundim të aktivitetit do të devijohet duke kërkuar njëkohësisht dhe mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës.
“Për të gjithë qytetarët kemi disa porosi: Së pari, që trafiku në zonën qendrore të Tiranës gjatë maratonës, pra duke filluar nga herët në mëngjes duke gdhirë dhe deri pasi të ketë kaluar finishin maratonomaku i fundit, trafiku do të devijohet. Pra, do të kemi një qytet pa makina. Kështu që, edhe ai që nuk do të vrapojë maratonën do të ketë oksigjen gjatë gjithë ditës, si kurrë më parë”, deklaroi Veliaj.
Mbarëvajtja e aktivitetit sportiv do të kryhet nga Bashkia e kryeqytetit dhe ditët në vijim do të zbardhet dhe plani për bllokimin e rrugëve kryesore për organizimin e Maratonës.