Nesër, Skënderbeu do të luajë kundër Tiranës, ndeshje e vlefshme për javën e 23-të e Superiores.
Para këtij takimi, klubi korçar ka dalë me një njoftim në kanalin zyrtar ku bën me dije që të ardhurat e grumbulluara nga biletat do të shkojnë në ndihmë të lojtarit Dorian Tahirllari.
Ky i fundit është vetëm 17-vjeç dhe është pjesë e skuadrës U-17, por që fatkeqësisht vuan nga sëmundja e rëndë e tumorit. Kësisoj në kanalin zyrtar të klubit bardhekuq shkruhej:
“Të dashur tifozë dhe sportdashës bardhekuq ju informojmë se të ardhurat nga ndeshja e radhës ndaj Tiranës, e cila do të zhvillohet nesër, ora 18:00 do të shkojnë për Dorianin.
Dorian Tahirllari është 17 vjeç dhe pjesë e ekipit Under17. Doriani është diagnostifikuar me Tumor në rruazat kurrizore dhe në stomak.
KF Skënderbeu ka vendosur që të gjitha të ardhurat e mbledhura nga biletat e ndeshjes ndaj Tiranës të shkojnë për kurimin e Dorianit.
Nesër, një arsye më shumë për të qënë i pranishëm në mbështetje të ujqërve”, përfundon njoftimi i klubit korçar.
Kujtojmë që ndeshja mes Skënderbeut dhe Tiranës do të zhvillohet në orën 18:00.