Eksperienca e fituar në Kupat e Europës është e padiskutueshme jo vetëm në fushën e blertë, por edhe në “hyrje-daljet” e lojtarëve. Klubi i Skënderbeut është i vetmi që ka arritur deri më tani të shesë një lojtar me shifrën rekord prej 1.1 milionë eurosh, siç ishte Peter Olayinka. Politikat e presidencës bardhekuqe tashmë dihen dhe kjo merkato vere pritet të jetë mjaft e nxehtë.
Shumë lojtarë janë “piketuar” nga disa klube europiane. Ndërsa newsport.al mësoi nga burime të besueshme se pranë shitjes janë Dejvi Bregu, Enis Gavazaj dhe Fidan Aliti. Për të tre lojtarët kanë ardhur oferta në tryezë, por emrat e klubeve nuk dëshirojnë të bëhen të ditura.
Për këtë newsport.al, kontaktoi drejtorin e Skënderbeut, Haris Fakiç, i cili konfirmoi lajmin e mësipërm, por gjithashtu shtoi se në listë ka edhe futbollistë të tjerë.
“Këta lojtarë që përmende janë realisht për t’u shitur dhe po punojmë për këtë gjë. Janë futbollistë me status nacionalë, pjesë e kombëtares shqiptare dhe përfaqësueses së Kosovës. Duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që kemi në dispozicion, ndihemi komodë dhe kemi mundësi t’i shesim këta lojtarë.
Emra klubesh s’mund të bëj me dije, por iu tregoj që ka interes nga Belgjika, Austria, Rusia dhe Zvicra. Ka edhe shtete të tjera që mund të jenë destinacionet e ardhshme të futbollistëve të mësipërm, por ky është tregu që ne preferojmë si klub. Kemi në skuadër edhe lojtarë të tjerë cilësorë si Nimaga dhe Mici.
Dua të veçoj Fidan Alitin, i cili erdhi pa zhurmë në ekipin tonë, ndërsa tashmë rezultoi goditje e saktë nga ana e klubit tonë“, deklaroi për newsport.al, Haris Fakiç.
Kujtojmë që ditë më parë, klubi i Skënderbeut finalizoi me sukses shitjen e Kristal Abazajt te Anderlehti në Belgjikë.