RTSH do të transmetojë së shpejti një dokumentar për 17-Nëntorin e viteve ’70 dhe për legjendën bardheblu Skënder Halili. Lajmi është bërë i ditur ditën e sotme në pritjen e organizuar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me rastin e 48-vjetorit të ndeshjes historike 17-Nëntori-Ajax të mbyllur në barazim 2-2.
Në këtë mënyrë një nga ekipet më të forta në historinë e futbollit shqiptar tashmë do të kristalizohet edhe në një film me metrazh të shkurtër për të gjithë tifozët, të cilët do të kenë mundësi të rikthehen pas në kohë në një epokë mjaft të lavdishme dhe për t’u njohur me një nga figurat më të shquara të Tiranës dhe jo vetëm.
17-Nëntori i epokës së Skënder Halilit ka ngelur në memorjen e të gjithë tifozëve bardheblu si një nga skuadrat më dinamike të asaj periudhe dhe jo vetëm, ndërkohë që ai barazim me kampionët e Holandës në “Qemal Stafa” shënon ndoshta kulmin e asaj gjenerate.