Cristiano Ronaldo nuk i ndahet Madridit. Ylli i Juventusit nuk e harron periudhën e artë me skuadrën e Realit të Madridit dhe kjo e ka lidhur akoma më shumë me kryeqytetin spanjoll.
Por ndryshe nga viti 2009, kur Ronaldo zbriti në Madrid për të firmosur me Reali, këtë herë luzitani do të jetë në Madrid për një arsyeje mjaft të fortë. Ai ka vendosur që t’i dhurojë kryeqendrës së Spanjës një nga klinikat më moderne të transplantit të flokëve.
“Më mungojnë njerëzit në Madrid. Ky është qyteti që ka lënë gjurmë të mëdha te unë si njeri dhe si futbollist. Kam kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës këtu dhe pikërisht në këtë vend janë edhe fillesat e familjes sime. Ashtu si në futboll, unë do të bëj përpjekje dhe do përkushtohem për ta bërë këtë projekt më të mirin në botë në këtë fushë“, tha fillimisht Ronaldo.
34 vjeçari gjithashtu theksoi rëndësinë e mbajtjes në formë të imazhit.
“Kjo është arsyeja pse unë bëj stërvitje fizike dhe përpiqem të ha mirë. Që të qëndroj gjithmonë i shëndetshëm. Më e rëndësishme është të kujdesemi për trupin tonë njëkohësisht në të njëjtën kohë për shëndetin tonë“.-shtoi duke përfunduar ish-sulmuesi i Manchester United.
Klinika e vendosur në “Joaquin Costa Street”, ka një sipërfaqe prej 2,500 metra katrorë dhe do të ketë 150 profesionistë që do të jenë në gjendje të kryejnë 18 trajtime në ditë. Ceremonia hapëse do të mbahet të hënën e 18 marsit.