Trajneri De Biazi ka folur edhe për afrimet që do të bëhen në kombëtare. Bëhet fjalë për Jahmir Hykën dhe Rei Manajn të cilët do të grumbullohen për ndeshjen që Shqipëria do të luajë me Maqedoninë në 5 shtator, takim i vlefshëm për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.
“Mund t’iu konfirmoj që Hyka që po kalon një moment shumë të mirë, do të jetë pjesë e përfaqësueses kundër Maqedonisë në ndeshjen për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Gjithashtu kam menduar që zyrtarisht të grumbulloj dhe Rei Manajn, duke shpresuar që duke vazhduar të rritet do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë skuadër. Pjesën tjetër, ju pak a shumë e dini, janë ata të Europianit. Ndoshta tek tifozët ka eufori, por jo në skuadër. Lojtarët e mi e dinë fort mirë që asgjë nuk arrihet nëse nuk luftohet çdo moment. Sot nuk është e lehtë të mundësh askënd, do të jetë një fushatë shumë e vështirë, sepse kemi Spanjën dhe Italinë në grup dhe edhe një ekip shkon në botërorin “Rusi 2018″, megjithatë do të vazhdojmë të ëndërrojmë”, deklaroi De Biazi për sportnews.
Gjithashtu tekniku italian flet edhe për Euro 2016, ku përfaqësuesja Shqiptare bëri një paraqitje dinjitoze dhe të ardhmen e tij në kombëtaren kuqezi.
“Jam munduar të pushoj dhe të reflektoj për atë që ndodhi në Europian. Ishte shumë e bukur,me gjithë keqardhjen që ndoshta duhet të kalonim grupin dhe të luanim në 1/8-at e finaleve. Megjithatë emocionet kanë qenë të mëdha. Ndërsa për sa i përket thashethemeve të merkatos që kanë qenë të shumta, nuk kanë qenë të vërteta. Mund të konfirmoj që ka pasur edhe oferta serioze. Por unë mund të konfirmoj që unë jam këtu dhe kam bërë zgjedhjen time. Do të filloj një edicion të tretë. Unë e kuptoj që njerëzit më duan, por vetëm rezultatet e konfirmojnë ose jo një trajner”, përfundoi De Biazi.