Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar sot vendimin e arsyetuar që mori Komisioni i Etikës në datën 23 qershor për skuadrën e Skënderbeut.
Përmes një njoftimi në uebsajtin zyrtar, FSHF zbardhte vendimin e plotë me të gjitha pikat në të cilat është bazuar ky organ për të dënuar bardhekuqtë e Korçës.
Ndeshja e parë e hetuar është KF Elbasani vs. Skënderbeu që përfundoi me rezultatin 1:4 dhe u luajt në datën 25.01.2015 e vlefshme për Kategorinë Superiore.
Përmbledhëse e Raportit BFDS:
“Bastet e vërejtura në këtë ndeshje sugjerojnë se lojtarët (bastexhinjtë) kishin paraprakisht dijeni mbi rezultatin final. Kjo ndeshje duhet te konsiderohet si e dyshimte dhe e manipuluar per qëllime bastesh.
Sipas raportit, rezulton se lojtarët (bastexhinjtë) treguan një konfidencë të pazakontë se Elbasani do të humbiste (kur loja ishte ende 0-0) dhe me tej se do të humbiste me të paktën 2 gola diferencë (kur loja ishte 0-1). Një trajte akoma më e çuditshme e basteve u vërejt që të shënoheshin të paktën 3 gola në total.
Provat filmike dhe raportet e zyrtarëve tregojnë një mos përputhje të aksioneve në fushë me bastet e luajtura. Raporti po ashtu, thekson historinë e dyshimtë të të dy klubeve, të cilat janë listuar disa herë nga BFDS. Ndonëse forma e Skënderbeut ishte më e mirë dhe pritej fitorja e tyre, nga historia e takimeve të fundit nuk rezulton një supremaci aq e madhe sa të justifikojë fitoren me më shumë se dy gola diferencë.
Nga përmbledhësja e basteve përpara ndeshjes, rezulton se asnjë bookmaker nuk e ofroi ndeshjen për 1×2 (rezultat final). Kjo nuk është diçka e re pasi, ndeshja nuk ka shumë interes.
Nga përmbledhësja e basteve në “Handikapin Aziatik” sakaq u vërejtën baste të dyshimta për Skendërbeun në tregjet SBObet pasi koeficientet u ulën nga 1.81 në hapje, në 1.27, çka përkthehet një diferencë prej 153% në fitimin neto.
Në tregjet TOTAL u vërejt një tendencë për të luajtur mbi “të paktën 3 gola”. Kjo me gjasë lidhet me faktin që Skënderbeu është favorit por kur vëzhgohen aksionet e shkëputura, bastet e luajtura nuk mund të justifikohen me këtë besim.
Raportohet se në tregjet live, (Handikapin Aziatik) kishte baste të dyshimta dhe devijime u vërejtën në minutën e 33 (0-1) në SBObet, ku u ofruan koeficient prej 1.36 krahasuar me 1.60 që ishte parashikimi fillestar, çka përkthehet në një devijim prej 42% në fitim neto. Bastet sugjerojnë një besim të dyshimtë të bastexhinjve që Skënderbeu do të fitonte me të paktën dy gola diferencë. Më tej, gjatë pjesës së parë u vunë re baste që të shënoheshin edhe dy gola në një kohë kur nga pamjet filmike nuk shihet një supremaci e tillë që të justufikojë bastet, për këtë arsye një lëvizje e tillë e koeficienteve mund të shihet si tejet problematike nga pikëpamja e integritetit.