Në një rrëfim për faqen tonë ish futbollistja e Vllaznisë, Desantila Hoxha, tregon problematikën e futbollit të femrave në Shqipëri, tregon hapat e para se si ka nisur karrierën si dhe vështirësitë që ka hasur.
Përshëndetje Desantila, kënaqësi që pranove të japësh një intervistë për faqen tonë!
Përshëndetje, kënaqësia është e imja dhe do ju falënderoj që interesoheni për mbarëvajtjen e futbollit të femrave në Shqipëri.
Si lindi dëshira për futbollin, dhe cili lojtar ju frymëzon?
Disa pasione flenë brenda nesh deri në momentin që i bën dikush të lindin, unë e adhuroja futbollin më shumë se disa djem, dhe luaja çdo ditë në lagje me bashkëmoshatarët e mi, deri ne momentin që u kthye në një profesion.
Kur keni filluar të luani futboll për herë të parë?
Fillimet në futboll I kam në vitin 2009 me ekipin e Ada-s (Vllaznia sot) ku kam fituar edhe 5 trofe me këtë ekip(Ada+Vllaznia).
Keni pasur vështirësi në fillimet e karrierës pasi siç e dimë, futbolli konsiderohej një sport burrash dhe mund të paragjykohesh, ju e keni pasur këtë problem?
Normal që kemi pasur shumë paragjykime sepse siç e thatë dhe ju nuk shikohej sport për femrat, por vetëm për meshkuj, por ama kur e dëshiron diçka fort nuk ka asgjë që të ndalon ta arrish. Por një gjë pozitive ka qenë mbështetja që kemi pasur nga prindërit që ishin dakord për zgjedhjet tona, pastaj se çfarë thoshte pjesa tjetër neve nuk na interesonte, por mbas pak kohësh gjetëm mbështetje dhe tek ata që në fillim nuk ishin dakord që ne të luanim.
Çfarë problematikash ka futbolli i femrave në Shqipëri?
Të flasim për futbollin në Shqipëri është pak vështirë duke pasur parasysh si funksionon jashtë, por në Shqipëri akoma mendojnë se futbolliste mund të bëhesh me mik apo me lek. Një problem tjetër është mungesa e terreneve për stërvitje, te fusha ku stërvitemi ne ka shume ekipe që stërviten. Shumica e ekipeve nuk paguajnë fare lojtaret e tyre, gjë për të cilën të vjen keq duke marrë parasysh mundin dhe sakrificën që përballen, edhe ekipi kampion duhet të shpërblehet shumë më shumë sepse e meritojnë.
Kur të lini futbollin, do të merrni sërish me futbollin apo do e braktisni këtë fushë?
Kur e mendoj largimin nga futbolli ndihem pak çuditshëm dhe s’do doja ta provoja por jeta është e gjatë dhe kurrë nuk i duhet por nuk kam dëshirë ta lija kurrë futbollin.
Dimë që jeni larguar nga Vllaznia, cili do të jetë ekipi juaj i ri?
Kontrata ime me Vllazninë ka përfunduar në qershor të këtij viti, jam në negociata me një ekip, por për momentin nuk dua të bëj gjë publike pa u zyrtarizuar.
Të falenderojmë për kohen që na dedikove dhe të urojmë suksese në karrierë.
Faleminderit edhe juve.