Dejvi Bregu zhvilloi dje një ndeshje gati-gati perfekte me Skënderbeun në takimin e parë zyrtar me fanelën e korçarëve për vlonjatin. Ish-talenti i Luftëtarit shënoi një gol dhe fitoi një penallti, duke u kthyer në një protagonist absolut në fitoren e Superkupës nga ana e “Ujqërve”.
Por në këtë mënyrë Bregu ka vulosur njëkohësisht dhe fatin e tij për këtë sezon, me 22-vjeçarin që tashmë është i detyruar të mbyll vitin në Korçë, pavarësisht ofertave që mund të vijn në drejtim të tij në merkaton e janarit. Shkak për këtë bëhet rregullorja e FIFA-s sipas së cilës një lojtar nuk mund të aktivizohet me më shumë se dy skuadra në një sezon futbollistik.
Bregu është aktivizuar edhe me Luftëtarin në ndeshjen e parë kundër Ventspils në Europa League, e për pasojë e ka plotësuar numrin e lejuar të skuadrave. Tashmë talenti që shihet si një nga shtyllat e Skënderbeut për këtë sezon do të duhet të pres verën e ardhshme për ndonjë lëvizje të mundshme jashtë Shqipërisë.