Ilir Daja i surprizoi dje të gjithë teksa u zyrtarizua si trajneri i ri i Flamurtarit. Teksa e prisnin që të vijonte aventurën me korçarët, tekniku kryeqytetas zgjodhi të merrte nën drejtim vlonjatët. Pakënaqësitë e krijuara në Korçë nga kjo zgjedhje e Dajës janë të shumta.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar. Por, sot është drejtori i klubit, Haris Fakiç që ka zgjedhur të japë mendimin e tij përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai ironizon Dajën teksa ka zgjedhur të përdorë një shprehje të njohur.
“Deri tani unë kisha besuar që kur anija u mbyt, kapiteni do ta linte atë i fundit”, shkruan drejtori Haris Fakiç. Një ironi e drejtpërdrejtë kjo për trajnerin Ilir Daja që e la drejtimin e skuadrës korçare në momentin kur CAS-i vendosi që bardhekuqtë s’mund të luanin në Europë.