I ftuar në emisionin “Fair Play” është ish-trajneri i disa prej ekipeve të Superligës, Armando Cungu. Ai ka komentuar ndryshimet te Partizanit dhe ecurinë e të kuqve në fillim të kampionatit. Ndër të tjera, Cungu është shprehur se nuk i kanë pëlqyer komentet e fundit pas largimit të Starovës nga Partizani.
” Partizani kishte më shumë staf se lojtarë. Nuk u ndërtua mirë ekipi në fillim dhe boshti i skuadrës u prish. U largua Ekuban, ndër lojtarët më të mirë që ka ardhur në kampionatin shqiptar. U largua Ramadani. Nëse do heqësh një lojtar duhet të mendosh për zëvendësuesin. Duhet të ketë dhe objektivat për kampionatin. Nuk kam asnjë paragjykim, por u trumbetua për trajnerë të huaj. Jam dakord të vijën por duhet të jenë profesionistë dhe jo të mësojnë dorën në Shqipëri. Nuk duhet të bëhemi autoshkollë apo të marrim pensionista. Nuk duhet paragjykuar niveli i futbollit në Shqipëri. Ketu e kam fjalën dhe për lojtarë. Sikurse s’jam dakord me fjalët e fundit nga lojtarët që tani ndihen më mirë, pasi Starova ka bërë një kampionat shumë të mirë vitin e shkuar. Nuk jam këtu për të bërë avokatin e asnjërit, por duhet pranuar që është profesionist. Është bërë zakon në vendin tonë që kur vdes një njeri i japim medalje, po kështu ka ndodhur dhe me Starovën”.