Profesionalizmi i klubeve shqiptare është vënë shpesh herë në pikëpyejtje por zhvillimet e viteve të fundit u duk sikur e kanë përmirësuar situatën në këtë pikë. Megjithatë ka ende veprime të papjekura dhe thellësisht amatoreske nga disa prej ekipeve, e madje edhe në Superiore, duke ngritur edhe një herë alarmin.
Së fundmi një rast i paprecedentë ka ndodhur te Luftëtari, me klubin gjirokastrit që në merkato bleu portierin Hrvoje Bukovski. Kroati i lindur në Zvicër erdhi me idenë për të qenë titullar, por debutimi në Letoni ndaj Ventspils në ndeshjen e parë të Europa League nuk shkoi ashtu siç pritej nga drejtuesit bluzi.
Pesë golat e pësuar e penalizuan “gardianin”, të cilit iu kërkua prishja e konktratës. Ai nuk ka pranuar dhe klubi e ka ndëshkuar ndeshjen e djeshme të humbur ndaj Kastriotit duke e çuar në tribunë. Një sjellje kjo aspak profesionale, e ngjashme me rastin e Frashërit te Kukësi pas ndeshjes ndaj Torpedos. Bukovski ndërkohë ka firmosur me Luftëtarin një kontratë një-vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër.