Të dielën do të zhvillohen garat e Formula 1 për Çmimin e Madh të Singaporit, ndërsa dueli më i madh pritet që të jetë mes dy makinave Mercedes, të cilat gjatë garave të fundit kanë zaptuar vendet e para.
Britaniku Lewis Hamilton ka vetëm 2 pikë më shumë se Nico Rosberg në renditjen e përgjithshme, ndërsa kjo garë do të jetë e drejtpërdrejtë për titullin. Kështu, dy makinat Mercedes parashikohet që të bëjnë garë të flaktë këtë herë. Këtë e pohon dhe drejtori i skuderisë gjermane, Toto Wolff, i cili thotë se kjo do të jetë garë e vështirë.
“Do të jetë e vështirë, pasi Red Bull e Ferrari do të duelojnë, por kjo nuk na tremb. Ne jemi gati për betejë, kemi makinën më të mirë, pilotët me të mirë dhe ata do ta vendosin me njëri-tjetrin në pistë se kush do të fitojë. Do t’u lëmë dorë të lirë për sa u përket strategjisë dhe le të fitojë më i miri. Por mbi të gjitha duhet të fitojë Mercedes”.