Ulja e Erando Karabecit në stol nga trajneri Ze Maria, ka nxitur mjaft debat në studiot televizive. Kështu ndodhi edhe mbrëmë në panelin e emisionit “Rubrika Sportive”, teksa të ftuar ishin trajneri i njohur, Sulejman Starova, bashkë me drejtorin sportiv të Kukësit, Nderim Nexhipi. Teksa po diskutohej për kapitenin e Tiranës, në një moment drejtuesja e emisionit, Hygerta Sako i kujtoi Nexhipit kohën kur luante te Partizani. Në verën e vitit 2015, ish-kapiteni i kuq përjetoi një situatë të ngjashme si Karabeci. Për këtë Hygerta iu drejtua: “Nderim, na trego pak si u ndjeve kur Starova të uli asokohe në stol në ndeshjet e Kupës së Europës”.
Fillimisht, drejtori sportiv i Kukësit hezitoi të fliste, por pas këmbënguljes së moderatores, ai u shpreh: “Sigurisht ishte një ndjesi jo e mirë. Kisha kohë që e kisha pritur, që kishim luftuar për të luajtur në Europë, por pas një bisede me trajnerin Starova u vendos që të isha në pankinë. Të them të drejtën nuk e kam pritur aspak mirë”, tha Nexhipi.
Në këtë moment ndërhyri Starova: “Unë e kam mik të vjetër Nexhipin. Atëherë nuk ula vetëm Nderimin. Ula edhe Mazrekajn e disa të tjerë. Kur e pashë që po humbnim 2-0 i thashë dil në nxehmje. Sa doli në nxehmje ai, shënuam golin e parë ne”, përfundoi ish-trajneri i kuq duke qeshur.
Kjo situatë me sa duket nuk i pëlqeu Nexhipit që nuk hezitoi, por në transmetim live u shpreh: “Besoj se nuk është momenti të përmendësh Mazrekajn. Ti e di shumë mirë që ai donte të qëndronte në Kosovë e s’donte të vinte me ne”.
Kritika e Nexhipit ishte e qartë. Nuk preferonte të krahasohej me lojtarë të tjerë në kohën kur ka qenë futbollist. E pikërisht në këtë moment ndërhyri Hygerta Sako duke shuar debatin, për të vijuar me të tjera diskutime të kampionatit shqiptar.