Gianluiggi Buffon deklaroi largimin nga Juventus pas 17 vitesh në fund të këtij sezoni. ‘Gardiani’ duket se la një shteg të hapur se mund të vazhdojë të jetë aktiv në futboll dhe nuk do tërhiqet përfundimisht. Gazetta dello Sport shkruan se 40-vjeçari ka oferta nga SHBA apo edhe Kina, por edhe disa klube të njohura europiane kanë shfaqur interes për të.
Dhe ato “oferta stimuluese”, që do ta pengonin atë të dalë në pension, janë, sipas “La Gazzetta”, katër në veçanti. E para, që duket më pak tërheqëse, është Sporting i Lisbonës, ekip i cili ka Rui Patricio “mes shtyllash”. Por edhe një ofertë nga Anglia siç është ekipi i Liverpool mund të tundojë Supermanin.
Real Madridi dhe PSG kanë qenë skuadrat e fundit, që kanë hyrë në skenë. Spanjollët do të donin të kishin në gjirin e tyre një prej më të mirëve të historisë ndërsa edhe PSG mund ti garantojë një vend titullari Gigit që në Paris mund të bëjë një mbyllje të karrierës si David Beckham.