Ndeshja e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj mes Vllaznisë dhe Tiranës do të luhet të hënën në orën 18:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, me praninë e spektatorëve.
Edhe pse dje, kjo sfidë solli incidente jashtë dhe brenda pallatit të sportit në kryeqytet, Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur që Vllaznia-Tirana të luhet me tifozë.
Natyrisht pritet që në këtë rast institucioni i cili drejton basketbollin në vendin tonë të ndërmarrë masat e duhura në bashkëpunim edhe me forcat e rendit.
Një vendim i tillë u mor nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Basketbollit pas mbledhjes urgjente nën drejtimin e presidentit Avni Ponari, në lidhje me finalen e Superkupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë në kategorinë e meshkujve e cila nuk u zhvillua për shkak të akteve të dhunës nga ana e tifozëve bardheblu pak përpara nisjes së takimit.