CSKA Moskës fitoi 98 – 90 ndeshjen e parë play-off ndaj Baskonias vetëm në minutën e fundit të takimit të luajtur në kryeqytetin rus. Një trepikësh i Milo Teodosic i hapi rrugë një rezultati të pjesshëm 10-0 në favor të CSKA -së, që e fitoi sfidën me 8 pikë diferencë. Basketbollisti serb me 22 pikë, 5 asiste dhe 2 topa të kontrolluar nën tabelë ishte vendimtar në këtë sukses të vendasve, ndërsa francezi De Colo shtoi 17 pikë të tjera për rusët.
Për Baskonian nuk mjaftoi fakti se 5 lojtarë realizuan 10 apo më shumë pikë. Më i mirë për spanjollët rezultoi amerikani Larking që u ndal në vetëm 17 pikë.
Dominim neto i Fenerbahces ndaj Panathinaikosit në takimin e luajtur në Athinë në prani të mbi 18 mijë spektatorëve. Skuadra turke triufmoi 58 – 71, falë një pjese të dytë fantastike, duke rikuperuar madje një dizavantazh prej 16 pikësh të ekipit grek në periodën e tretë.
Bogdanovic me 23 pikë, 4 asiste dhe 5 rikuperime ishtë më i miri mbi parket, ndërsa Kalinic shtoi edhe 16 pikë të tjera për Fenerbahcen. Rivers dhe James, që shënuan respektivisht 16 dhe 14 pikë, u munduan të udhëhiqnin Panathinaikosin para publikut vendas, por nuk patën mbështetjen e duhur të shokëve të skuadrës.
Ndeshjet e dyta të serisë play – off do të zhvillohen të Enjtën./ Supersport/