Është Boston Celtics skuadra e dytë finalistë e Konferencës së Lindjes në NBA. Ekipi që drejtohet nga Brad Stevens mposhti 115 – 105 Washington Wizards në përballjen e shtatë të zhvilluar në TD Garden Arena, duke fituar të drejtën për t’u përballur me LeBron James me shokë në sfidën finale të Konferencës.
Wizards ishin të bindur se mund të bënim mrekullinë në parketin e Bostonit, por as forma e jashtëzakonshme e Bradley Beal, që shënoi plot 38 pikë nuk u mjaftoi për të shmangur humbjen ndaj një rivali që e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë.
Pjesa e parë perfundoi në ekuilibër të plotë, me tabelën eklektronike që shënonte rezultatin 53 – 55, por Celtics shpërthyen në fund të periodës së tretë, të cilën e mbyllën me 6 pikë avantazh, duke ruajtur më pas epërsinë edhe në periodën e fundit.
Vendimtare loja e Isaiah Thomas që shënoi 29 pikë, dha 13 asiste dhe rikuperoi 2 topa, por një vlerë të jashtëzakonshme për Celtics morën edhe 27 pikët e kanadezit Olynyk, 14 prej të cilave në periodën e fundit. Madje 26 vjecari realizoi trepikëshin që vulosi suksesin e Bostonit pak minuta para përfundit të takimit.
Në humbjen e Wizards ndikoi edhe faktori fushë, sepse mbi 18 mijë të pranishmit në TD Garden Arena i dhanë shtysën e duhur Bostonit për të prekur finalen, ku do të ketë përballë Cleveland Cavaliers. / Supersport