Trajneri i Kukësit Armando Cungu ka hequr dorë nga vendosja në fushë e dy sulmuesve të tij Reginaldo Faite dhe Vasil Shkurtajt. Pas takimit me Apoloninë, ku verilindorët siguruan kualifikimin në raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë me rezultatin 2-0 (3-2 në total), Cungu e bëri të qartë për “Supersport” se eksperimenti i sotëm ku mozambikasi dhe ish-sulmuesi i Luftëtarit e nisën si titullarë nga minuta e parë, rezultoi i dështuar.
“Varianti i vijës së sulmit Reginaldo Shkurtaj? Për ta filluar lojën të dy bashkë nuk mendoj, pasi nuk më duket se Shkurtaj dhe Reginaldo mund të bindin për të luajtur nga minuta e parë. Kishin vështirësi në lëvizje dhe përshtatje, por ne nuk kemi kohë që t’i presim, ndaj do të shohim dhe të bëjmë zgjedhjet tona.
Paraqitja e Valtet Ramës? Valdet Rama nuk ka nevojë për reklamë, pasi duket se si merr topin, si vertikalizon, apo si kërkon të shërbejë, por i duket vetëm pak kohë për t’u përshtatur me ekipin dhe për të marrë minuta”, deklaroi trajneri Cungu.
Tashmë duket se Cungu duhet të sakrifikojë njërin prej titullarëve të tij midis Reginaldos dhe Shkurtajt, por blerja e bujshme e janarit ka më tepër avantazh për të qenë zgjedhja e parë në sulm, pasi temperamenti i vështirë i Reginaldos i ka probleme skuadrës dhe klubit gjatë dy fazave të para, pavarësisht nisjes perfekte të sezonit. Afrikani mund të rezervojë stolin dhe të shërbejë si alternativë e dytë në repartin ofensiv. Me gjithë pakënaqësinë dhe revoltën e tij, klubi kuksian e bindi lojtarin të qëndronte me skuadrën deri në fund të sezonit. Ndaj Tiranës, ditën e diel pritet të zbardhet se kush do ta fitojë rolin e titullarit mes Shkurtajt dhe Reginaldos.