Historia e Kupës së Botës na sjell disa copëza me të vërtetë interesante të saj ndër vite dhe i tillë është edhe rasti i Andres Escobar. Ish-mbrojtësi ishte pjesë e përfaqësueses së Kolumbisë në Botërorin e vitit 1994. Në datën 22 qershor të atij muaji përvëlues në SHBA, Kolumbia do vihej përballë vendasve të Amerikës.
Latinët humbasin 2-1 dhe protagonist është Escobar që realizon një autogol falë një devijimi të pafat. Kolumbia eleminohet ndërsa Escobar do kishte një fund fatkeq. Në mbrëmjen e 1 korrikut, 5 ditë pasi Kolumbia është kthyer në shtëpi, Escobar dhe disa miq të tij shkojnë në një bar të lagjes në El Poblado në Medelin.
Më pas ata shkojnë në El Indio, një klub nate. Ndërkohë në atë klub ku Escobar po parkonte makinën në 3 të natës u shfaqën 3 burra. Ata filluan të debatonin me të ndërsa 2 prej tyre mbanin edhe armë. Escobar u qëllua 6 herë. Ekzekutuesi thuhet se të ketë bërtitur ‘Gol Gol’ pas çdo të shtëne, njësoj si komentatori amerikan në rastin e autogolit të Escobar.
Ai u la aty përdhe i gjakosur ndërsa vdiq në spital pas 45 minutash. Ekzekutimi kishte ardhur nga kartelet e droges kolumbiane që kishin vënë para në baste për fitoren e Kolumbisë kundër SHBA-ve dhe cilësonin si fajtor kryesor Escobar për humbjen. Në varrimin e tij u mblodhën 120 mijë njerëz në rrugët e Medelin. Kjo është edhe një nga ngjarjet më fatkeqe të post Kupës së Botës ku një autogol fatkeq vendosi për fatet e jetës së një futbollisti.