Humbja me Partizanin në shifrat 2-0 ka afruar shumë ekipin e Vllaznisë me Kategorinë e Parë. Kuqeblutë janë 5 pikë pas dyshes Kamza, Teuta dhe kur kanë mbetur 2 javë nga përfundimi i kampionatit duhet një ‘mrekulli’ që shkodranët të shpëtojnë. Por duket se një kaos total ka përfshirë 9 herë kampionët e vendit.
Dorëheqja e Gjokes që ende nuk është konfirmuar në rrugë zyrtare nga klubi ka krijuar me të vërtetë një situatë të paqartë. Lojtarët kanë qenë pushim sot dhe burime të Newsport.al bëjnë me dije se atyre për momentin nuk iu është komunikuar asgjë nga stafi drejtues për të reja në ekip. Në Shkodër gjithsesi nuk e humbasin humorin edhe në këto ditë të vështira ku disa me shaka shprehen se tashmë në stol do ulet administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi. /Newsport.al/