Armando Sadiku në një prononcim për “Supersport” është shprehur tek Lugano ndihet shumë mirë, pasi aty është si në shtëpinë e vetë. Megjithatë sulmuesi kuqezi ka thënë më tej se me Levanten ka kontratë edhe dy vite me skuadrën spanjolle, ndërsa tek Lugano është i huazuar për 6 muaj.
Rikthimi tek Lugano
“Vija nga një dëmtim i gjatë, Lugano ishte prej rreth 1 muaji në bisedime me klubin e Levantes. Duke pasur një dëmtim të rëndë, koha e rifillimit të kampionatit në shkurt ishte e përshtatshme për mua, ndaj preferova Luganon edhe se njoh mirë dhe jam ndjerë si në shtëpinë time, do të jetë çdo gjë e mirë për të ardhmen time, për t’u kthyer në nivelin ku isha para dëmtimit”.
Viti 2018-të
“Mamaja ime kur festuam Vitin e Ri tha ‘mos ardhtë më ky 2018’. Ka qenë me shumë dëmtime, sa shkova te Levante pata dëmtim që theva hundën, pastaj vrava gjurin e tani shpresoj që në këtë 2019 të kthehem të shënoj gola te Lugano dhe në mars të jem i gatshëm në gjendje fizike për kombëtaren që të nisim mbarë këto eliminatore”.
Situata tek Levante
“Jam rritur shumë, kam eksperiencë se e kam kaluar këtë dëmtim. Te Levante më thoshin që është e pamundur që të kthehesha për 4 muaj e gjysmë në stërvitje të plotë në grup. Këtu te Lugano do të filloj të luaj e aktivizohem e kap formën aq shpejt, si duhet.
Kam kontratë edhe dy vite me Levanten, kam ardhur ne huazim 6 muaj, që të luaj e të aktivizohem. Kish oferta nga Liga 2 në Spanjë, nga Turqia, por duke parë që këto dy kampionate janë në vazhdim, unë në moment nuk jam në 100% të futem e aktivizohem në ndeshje. Ndaj do më duhej rreth një muaj që të përgatitesha mirë që të luaj e filloj ndeshjet, Ishte Lugano zgjedhja më e mirë që mund të bëja tani, pastaj do të kthehem përsëri te Levante”.
Situata tek Kombëtarja
“Ne jemi ekip i vogël, krijojmë 2-3 raste në ndeshje. Unë kam pasur fatin që kam shënuar në çdo rast, pastaj është më e lehtë për ekipin. Nuk është e lehtë të luash me këto mungesa që kemi pasur ne. Por ne si kombëtare gjithsesi nuk kemi qenë mirë, gjithë lojtarët nuk u aktivizuan me ekipet e tyre, patëm rënie. Shpresojmë që në 2019 të kthehemi në nivelin ku ishim”, ka thënë sulmuesi kuqezi.