Kukësi do të luajë nesër kundër Tiranës, ndeshje e vlefshme për javën e 12-të të Superiores. Para këtij takimi, klubi kuksian ka njoftuar për konferencën e zakonshme të para çdo sfide. Por, sot përpara gazetarëve nuk është shfaqur Armando Cungu, por ndihmësi i tij, Rrahman Hallaçi.
Pozitat e teknikut shkodran janë lëkundur ndjeshëm pas humbjes 1-2 kundër Flamurtarit. Vetë Hallaçi tregoi se nuk ka asgjë shqetësuese pasi Cungu vijon të jetë në krye të pankinës verilindore. Megjithatë në një ndeshje kaq të rëndësishme siç është përballja e nesërme kundër Tiranës, lë vend për shumë dyshime. Trajneri shkodran kurrsesi nuk injoronte asnjë sfidë apo konferencë për shtyp.
Ndoshta këtë herë për arsyet e tij personale ka zgjedhur mos t’i përgjigjet gazetarëve me fjalë, por nesër në fushën e “Selman Stërmasit”. Megjithatë pa aluduar më tej, kjo mosprezencë e tij në konferencën për shtyp tregon se mes tij dhe drejtuesve ka një krisje. Pas ndeshjes së nesërme kjo do të mësohet përfundimisht.