Ditën e nesërme, Kukësi do të luajë me Kastriotin, që praktikisht është edhe sfida e fundit për fazën e dytë të kampionatit. Në konferencën për mediat, trajneri i nënkampionëve, Armando Cungu është shprehur se do të jetë një takim i vështirë, sepse kundërshtari kërkon më shumë pikë, pasi renditet në vendin e fundit të tabelës.
Paraqitja në dy fazat e para
“Sa i takon paraqitjeve të ekipit në këto dy faza, jam shumë i kënaqur. Këtë e them jo vetëm për këto ndeshjet e fundit, të cilat kemi përfunduar me rezultate pozitive, por me mënyrën e të zhvilluarit të ndeshjeve në këto dy faza si dhe faktit që të gjitha ndeshjet i luajmë jashtë qytetit të Kukësit”.
Rroca dhe Shkurtaj
Di që po flitet shumë për këta dy lojtarë, konkretisht Rrocajn dhe Shkurtajn, por deri tani nuk kanë zhvilluar asnjë seancë stërvitore me ekipin tonë. Në momentin që do të nisin stërvitjen me skudrën e Kukësit, atëherë mund të përgjigjem për këto dy futbollistë.
Merkato
Kur afrohet muaji i merkatos, të gjithë trajnerëve iu drejtohet pyetja për transferimet. Personalisht, unë nuk i pëlqej shumë afrimet në skuadër në këtë kohë. Mendoj se një klub duhet të organizohet në stinën e verës për merkato.
Gjendja e ekipit është shumë e mirë, janë stërvitur me ritëm të lartë, ndërkohë që edhe harmonia është për t’u vlerësuar, sidomos pas ndeshjeve të fundit.
Ndeshja me Kastriotin
Ndëshja e nesërme, ashtu sikur të gjitha ndeshjet në Kategorinë Superiore, është shumë e paparashikueshme. Fakti që skuadra e Kastriotit renditet në fundin e tabelës së klasifikimit, e bën më të motivuar për të dhënë maksimumin për të marë pikë. Do të futemi në fushën e blertë me synimin e vetëm, për të fituar ndeshjen e radhës.
Partizani në vend të parë
Faktin që skuadra e Partizanit ka grumbulluar 5 pikë më shumë se skuadra jonë, nuk e shikoj si problem, pasi jo më larg se 7 javë kundërshtari për titull gjendej 12 pikë përpara nesh. Deri tani pothuajse janë zhvilluar gjysma e ndeshjeve të këtij kampionati, kundërshtarë do të kenë kohë për të gabuar.