Sot, Kamza luajti kundër Burrelit, ndeshje që përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të vendasve. Mes tensionit, ekipi i Kamzës mori një fitore mjaft të rëndësishme kundër ekipit burrelas në shtëpi.
Onuah shënoi golin e parë për Burrelin në minutën e shtatë duke shtangur në këtë mënyrë vendasit. Por, heroi i takimit ishte Mario Morina që shndërroi një 11-metërsh në gol në minutën e 50-të dhe në fundin e takimit në minutën e 96-të shënoi golin e fitores.
Por, pikërisht pas këtij goli do të vinte edhe rrëmuja në stadiumin e Laçit. Morina goditi shtyllën, topi u përplas te këmbët e një mbrojtësi i cili ishte brenda porte dhe më pas te një futbollist vendas, duke u rifutur në lojë. Skuadra e drejtuar nga Ramadan Ndreu pretendonte për gol të rregullt, ndërsa anësori kishte ngritur flamurin për pozicion jashtë loje.
Gjyqtarët u konsultuan për disa minuta dhe më pas u vendos që goli ishte i rregullt. Pas kësaj nisen protestat nga ana e futbollistëve të Burrelit dhe ishte policia private ajo që ndërhyri për të qetësuar situatën.