Nuk ka zgjatur shumë enigma në Fier se kush do të jetë trajneri i ri i skuadrës së Apolonisë. Drejtuesit kanë zgjedhur të sjellin në postin e trajnerit edhe një herë tjetër Elidon Demirajn. Trajneri fierak i ngjiti në Superiore në sezonin 2013-2014, ndërsa e la punën në mes gjatë sezonit 2014-2015, pasi nuk pati rezultate.
Megjithatë, ai është rizgjedhur në krye të pankinës, për të marrë në dorë “frenat” e skuadrës për sezonin e ri, i cili objektiv kryesor ka rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Normalisht, Apolonia është një nga klubet më të organizuar në Shqipëri, por që ka edhe kontrata afatgjata, të cilat i kanë shërbyer, duke mos bërë shumë merkato gjatë verës.
Përforcimet do të bëhen në ditët në vazhdim, teksa trajneri dhe ndihmësit e tij do të thërrasin lojtarët e piketuar më parë. Apolonia ka nisur stërvitjen dy javë më parë pikërisht nën drejtimin e Demirajt, i cili ndihmës në pankinë do të ketë Marjon Mihon dhe Theodhori Ramën, gjithashtu dhe trajnerin e portierëve Kosta Sera.