Kombëtarja e Anglisë ka vendosur të izolohet në Shën Peterburg për të ruajtur përqëndrimin maksimal gjatë zhvillimit të kampionatit botëror. Sipas mediave ruse, qendra stërvitore ku janë vendosur “Tre Luanët” është rrethuar me një gardh gjysmëtransparent me fasadë jeshile.
Fillimisht u raportua se tre ekipet kombëtare që janë akomoduar në Shën Peterburg; Kosta Rika, Korea e Jugut dhe Anglia kanë bërë një kërkesë zyrtare ndaj bashkisë së qytetit për t’u rrethuar me gardh në mënyrë që të zhvillojnë sa më të qetë dhe larg mediave seancat stëvitore, por më vonë mediat ruse konfirmuan se vetëm Anglia kishte bërë një kërkesë të tillë.