Dje, Partizani u mposht nga Flamurtari me rezultat minimal 1-0, sfidë e vlefshme për javën e 14-të të Superiores. Kuqezinjtë ishin superiorë për rreth 70 minuta duke treguar që kishin hyrë në fushë vetëm për fitore. Trajneri Ilir Daja e kishte përgatitur në mënyrë përfekte takimin duke rreshtuar siç duhet lojtarët në fushën e blertë.
Ndryshe nga ndeshjet e tjera, në sfidën e djeshme Partizani nuk kishte grintë që jemi mësuar ta shohim gjithmonë. Presioni ultra-ofensiv u ushtrua këtë herë nga kuqezinjtë duke dominuar në çdo cep të fushës. Më e rëndësishmja ishte se trajneri Ilir Daja kishte markuar siç duhet dy futbollistët anësorë të Partizanit.
Në krahun e djathtë, Blerim Kotobelli e la në hije Jasir Asanin, ndërsa në krahun e majtë, ishte Agustin Torasa ai që e markoi në mënyrën më të mirë Lorenc Trashin. Madje arriti të luante edhe me nervat e tij, përmes spektaklit argjentinas të dhuruar në fushën e blertë.
Ndërkohë edhe Jurgen Bardhi ishte në hije, falë një Albi Alle që vështirë se mund të kalohej ditën e djeshme. Duke arritur t’i “presë” krahët dhe me një mbulim përfekt të Jurgen Bardhit, Ilir Daja arriti të mposhtte ditën e djeshme ekipin e drejtuar nga Skënder Gega.
Gjithashtu nuk mund të lihet pa përmendur edhe performanca e jashtëzakonshme e Elton Kalesë. As mungesa 4-mujore nuk mundi t’ia ulte ritmin dhe të zbehte teknikën e mrekullueshme të atij lojtari, që për Labinot Ibrahimin u shndërrua në një makth të vërtetë. Shpejtësi, driblime dhe fitues në dyluftimet një për një, Kale ishte mbrëmë “mbreti” i fushës së stadiumit “Flamurtari”.
/Newsport.al/