Pas përfundimit të ndeshjes kundër Skënderbeut, trajneri i Dinamos së Zagrebit, Mario Cvitnoviç u shpreh se skuadra shqiptare nuk e surprizoi, duke pranuar se ishte përgatitur për një ndeshje shumë të fortë.
Skënderbeu barazoi 1-1 në Kroaci, por mund të merrte edhe më shumë nëse nuk do të kishte pësuar atë gol në minutën e 95-të.
Edhe pse trajneri i Dinamos së Zagrebit deklaroi se nuk e surprizoi forca e Skënderbeut, sigurisht që mund të thuhet se ajo që e surprizoi ishin lëvizjet taktike të trajnerit Ilir Daja.
Ky i fundit ia la lojën në ‘dorë’ Sabien Lilajt, i cili organizoi lojën e Skënderbeut, ndërsa specialistët e “11 tegen 11” e kanë cilësuar mesfushorin korçar si futbollistin më të mirë të ndeshjes.
Siç duket edhe në skemën e mëposhtme të paraqitur në mënyrë grafike nga “11tegen11”, aksionet sulmuese niseshin nga krahët e mbrojtjes me Micin dhe Vangjelin, të cilët shtynin pa fund në drejtim të sulmit dhe shërbenin përkatësisht për Latifin dhe Gavazajn.
Lilaj merrte në dorë organizimin e lojës, ndërsa Latifi dhe Gavazaj u renditën pas tij si futbollistët më të mirë të Skënderbeut në këtë takim. Ndërkohë që Nimaga u vlerësua me notën më të ulët. Me këtë mënyrë loje dhe kombinacionet që paraqiten në foton e mëposhtme, trajneri Daja ka surprizuar jo pak kundërshtarin e tij, Cvitanoviç të Dinamos së Zagrebit, ndërsa vetëm fati i mohoi atij dhe skuadrës korçare një triumf historik në ‘Maksimir Stadium’./ NEWSPORT.AL