“Jemi të burgosur te Paris Saint Germain”. Kështu e komenton nëna dhe njëkohësisht agjentja e mesfushorit francez, Adrien Rabiot, situatën e 24 vjeçarit te skuadra kampione e Francës. Në një prononcim për “L’Equipe”, Veronique Rabiot thotë se djali i saj ndodhet si i burgosur te skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel.
“Djali im është i burgosur në PSG. Ata e gjobitën për të mos udhëtuar në Katar, kur gjyshja e tij vdiq dhe babai i tij ishte duke vdekur. Ai është marrë peng. Kur shkon gjashtë minuta me vonëse do të gjobitesh, ndërsa kur je i dëmtuar lejohesh për të udhëtuar rreth botës dhe të shkosh në karnavale”, përfundoi ajo, duke iu referuar yllit brazilian Neymar.
Aktualisht Rabiot po stërvitet me skuadrën e dytë të PSG-së, pasi nuk pranoi të rinovonte kontratën, e cila skadon në fundin e këtij sezoni.