Bëri bujë të madhe penalltia e realizuar dhe tre penalltitë e pritura në ndeshjen e kthimit kundër Ferencvarosh, e cila i dha dhe kualifikimin Partizanit për në raundin e tretë të Champions League. Por, së fundmi zërat janë të shumtë për transferimin e Alban Hoxhës. Portieri i kombëtares kuqezi ka fituar vëmendjen e të gjithëve, ku veç Chievo Verona-s që ofron 400 mijë euro për të, menaxherët ia kanë çuar në derë edhe Napolit emrin e tij.
Sipas një shkrimi të mediave italiane, thuhet se “Football Agents Academy” ia ka ofruar Napolit portierin shqiptar. Por, nga kryesia e Napolit nuk ka pasur përgjigje, megjithatë mbetet që të presim në ditët në vazhdim nëse do të ketë më tepër zhvillime.