Janë bërë të shpeshta kërkesat dhe ultimatumet e klubeve të Superligës dhe jo vetëm në drejtim të FSHF-së ku kërkojnë të mos gjykohen nga “x” apo “y” gjyqtar duke pasur pretendimet se i kanë dëmtuar.
Një praktikë dhe kërkesë në fakt, që duket absurde, pasi asnjë nga klubet e futbollit nuk ka “target-in” për të përzgjedhur apo për të ndaluar caktimet e gjyqtarëve. Kjo është një kompetencë e FSHF-së përmes komisionit të arbitrimit që merr vendimin që të caktojë një gjyqtar përmes shortit apo përmes performancës që kanë gjyqtarët javë pas jave.
FSHF, shpesh herë, për të ulur disi trysninë, shmang vendosjen e gjyqtarit të kontestuar në 4-5 ndeshjet e radhës të atij klubi që ka bërë kërkesën kundër një arbitri të caktuar, por e rikthen atë në një moment tjetër, pasi është ftohur situata.