Vllaznia ka hedhur idenë për të marrë pjesë në Kupat e Europës pas shpalljes kampion për herë të parë në historinë e volejbollit në Shqipëri. Sipas “shkodrasport.com” klubi shkodran ka nisur interesimin në Federatë për të mësuar rregullat që duhen për të marrë pjesë në “Challenge Cup”. Por FSHV ka kthyer një përgjigje që ka befasuar ekipin e Vllaznisë. “Nëse doni të merrni pjesë në këtë kupë, duhet të paguani një garanci prej 7 mijë eurosh në llogarinë e FSHV-së dhe në fund të aktivitetit, nëse nuk keni shkaktuar probleme a gjëra të tilla, ky fond do t’u kthehet sërish mbrapa”, ishte përgjigjia e Federatës.
Por sipas shkodrasport kjo është diçka absurde një gjë e tillë sepse nuk ka pse Federata jonë të “ngurtësojë” një fond të tillë. Nëse kjo do të kërkohej nga Federata Europiane do ishte çështje tjetër në fakt. Përpos kësaj, nuk ka shumë informacion nëse e njëjta gjë i është kërkuar edhe Studentit vitin e kaluar kur ka marrë pjesë në këtë kupë. Nëse është vërtetë kështu, padiskutim që Vllaznia nuk do të marrë pjesë në “Challenge Cup” sepse përveç kësaj garancie prej 7 mijë eurosh, asaj i duhen edhe 6 mijë euro të tjera si shpenzime për këtë pjesmarrje. Klubi shkodran për momentin nuk i ka kaq fonde dhe për këtë arsye, pritet që të japë edhe përgjigjen përfundimtare të mosmarrjes pjesë në Kupat e Europës.