Trajneri i Dritës Shpëtim Duro nuk i ka kursyer kritikat ndaj kundërshtarëve të Llapit për mënyrën e lojës me të cilën mposhtën ekipin e tij.
“Më vjen keq që një skuadër si Llapi që pretendon të jetë në kreun e tabelës të ketë qasje të tillë ndaj lojës. Në pjesën e dytë nuk pati lojë efektive, por vetëm zvarritje, sepse lojtarët vendës më tepër qëndruan të shtrirë në fushë.
Duhej ta vendosnim ndeshjen para se të shënonte Llapi, sepse patëm raste dhe mundësi për ta bërë këtë. Pastaj, pësuam një gol në fund të pjesës së parë dhe ai ishte momenti vendimtar. Sigurisht edhe mungesa e tre lojtarëve kryesorë: Xhevdet Shabani, Betim Haxhimusa dhe Haxhi Neziraj e bëri të veten, por ne duhej ta menaxhonim skuadrën edhe në këtë mënyrë”, u shpreh Duro për Supersport Kosova.
Drita pësoi humbjen e dytë radhazi, pasi u mund minimalisht 1-0 nga Llapi.