Kukësi – Austri e Vjenës 0-1
Ndeshja nis vrullshëm ashtu siç pritej. Takimi luhet fort në mesin e fushës ku ka dyluftime të ashpra. Atmosfera ndizet më shumë edhe nga tifozët e shumtë në stadiumin “Elbasan Arena”. Por megjithatë nuk mjafton kjo për Kukësin, pasi në minutën e 13 do të heshtë të gjithë të pranishmit në impiantin e kombëtares shqiptare, duke kaluar në disavantazh. Kayode përfiton në zonë pas një mosmarrëveshje nga mbrojtësit e skuadrës së Kukësit, duke dërguar sferën në rrjetën e portës së Koliqit.
Tekniku Lika kërkon të reagojë duke bërë menjëherë një ndryshim në formacion. Në lojë hyn Emini në vend të Rangel. Në minutën e 36 pikërisht edhe një herë Izair Emini ka një rast të artë për barazim. Pasi shmang mbrojtësin austriak, sulmuesi verilindor del i vetëm me portierin mik, por topi i goditur prej tij ndalet nga “gardiani” i Austrisë së Vjenës. Skuadra Kuksiane duket shumë e tensionuar, pasi nuk po del dot në lojën e tij. Lojtarët duken se po presin të mbyllet ky fraksion loje, për të shkuar në dhomat e zhveshjes. Kështu do të mbyllet kjo pjesë e parë në disavantazhin e një goli.