Padyshim që Partizani është një nga skuadrat më me histori në futbollin shqiptar. Mirëpo nëse ka diçka që nuk shkon tek ky klub, është fakti se në 25 vitet e fundit nuk është fituar as një titull kampion.
Në vitin e largët 1992-1993, ishte sezoni, ku të kuqtë do të merrnin gjithçka, e ndërsa vitet që do të pasonin, ishin një ‘ngërç’ për 15 herë kampionët e vendit.
Duhet theksuar se Partizani në sezonet e fundit ka qenë gjithmonë aty për të dalë kampion, ka shukuar shumë pranë, por nuk ia ka dalë. Megjithatë, këtë sezon është diçka ndryshe. Emërimi i trajnerit Skënder Gega në krye të klubit, ka bërë që gjithçka të marrë një rrjedhë tjetër.
Në 15 javë të luajtura, udhëheqin kampionatin me 34 pikë, 4 më shumë se Skënderbeu i vendit të dytë dhe 6 më shumë se Teuta e vendit të tretë, që në fundjavë, ditën e shtunë i pret 15 herë kampionët në shtëpi për duelin e 16-të të Superligës. Në këtë 90 minutësh mund të vendoset shumë për fatet e një sezoni, që në fund mund të rezultojë i jashtëzakonshëm për skuadrën e Skënder Gegës, që sikurse shihet, i ka marrë në dorë ‘frenat’ e këtij ekipi dhe deri më tani po e komandon shumë mirë.